Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka marrë në mbrojtje kryeprokurorin Adriatik Llalla duke thënë se ai ka respektuar Kushtetutën dhe ligjin e posaçëm me propozimin e 3 kandidaturave për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Ndryshe nga pretendimet e ambasadorit amerikan, se Prokuroria e Përgjithshme ka kryer shkelje duke përcjellë vetëm 3 kandidatë nga 9 që duheshin, Meta ka theksuar se pasi është konsultuar me dokumentet e ofruara nga prokuroria me kërkesë të tij ka konstatuar vetëm 3 nga kandidaturat e paraqitura plotësonin kriteret për të marrë pjesë në short, i cili, siç tha ai, u krye në mënyrë transparente.
Në vijim të qëndrimit të tij, Meta ka theksuar se, në përfundim të procesit të përzgjedhjes asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme, as në Kuvend dhe as publikisht.
Deklarata e plotë e Metës
Nisur nga deklaratat e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu për prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla në lidhje me listën e kandidatëve të përcjellë për tu përfshirë në shortin e KED-sit, me kërkesën time, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ka kërkuar sqarime shtesë për plotësimin e kritereve e kushteve ligjore për këta kandidatë.
Në përgjigje të kësaj shkrese, Prokurori i Përgjithshëm ka kthyer përgjigje zyrtare në datën 3 shkurt 2017. Sipas deklarimeve të djeshme të ambasadorit Lu prokuroria ka dhunuar frymën e kushtetutës duke sjellë 3 kandidatë për tre pozicionet. Gjithashtu Lu është shprehur se Prokuroria e Përgjithshme i zgjodhi vetë 3 anëtarët duke zgjedhur vetëm 3 emra.
Sqarojmë se kushtetuta në pikën 3 përcakton se KED-si përbëhet nga 9 anëtarë.
Në pikën dy të këtij neni përcaktohet se kandidatët që nuk plotësojnë kushtet, përjashtohen nga shorti. Sipas shkresës së datës 19 janar 2017 dhe shkresën e datës 3 shkurt 2017, rezulton se kandidatët e përcjellë plotësojnë kriteret e kushtet në mënyrë të plotë siç ka vendosur kuvendi për ligjin e “Organeve të Drejtësisë” të asistuar edhe nga partnerët ndërkombëtar.
Për këto vende plotësojnë kushtet vetëm 2 prokurorë.
Sipas shkresës së sotme të Prokurorisë së Përgjithshme, në prokurorinë e Përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të kishte mbaruar Magjistraturën. Si edhe në prokurori të Apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që të plotësonte kriterin e mësipërm. Në këtë shkresë specifikohet se nuk ka pasur asnjë rast të uljes në detyrë të prokurorëve që kanë mbaruar Magjistraturën.
Bazuar në këtë informacion rezulton se Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme dhe as në Kuvend, apo publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin.