Kryesore Meta “del” nesër nga qelia, do të pyetet në SPAK. Reagon ish-presidenti:...

Meta “del” nesër nga qelia, do të pyetet në SPAK. Reagon ish-presidenti: Do t’i marr unë pyetje

Ish-presidenti Ilir Meta do të dalë nesër për disa orë nga qelia ku po qëndron, për t’u dërguar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Meta do të paraqitet në SPAK në orën 10:00.

Ish-presidenti ka reaguar nga burgu pas njoftimit se do të pyetet nesër nga SPAK.

Në faqen e tij në Facebook është postuar reagimi i tij, ku thekson se do të paraqitet për t’i pyetur ai prokurorët e posaçëm.

Ai përsërit se “organizata kriminale SPAK” firmosi rrëmbimin e paligjshëm dhe banditesk.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk.

Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, Meta.

Ilir Meta do të pyetet nga prokurorët e posaçëm në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, për të cilën dhe akuzohet.

Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 në ish-sheshin “Shqiponja” dhe ndodhet në qeli në masën e sigurimit “arrest në burg”.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes Berisha 2.