Presidenti Ilir Meta ka reaguar në rrjetet sociale pas ngjarjeve kriminale të ditëve të fundit, ku në Fier u vra biznesmeni Demir Backa dhe në Nikël u dhunua dhe u torturua, biznesmeni Nazmi Çangu.
Meta ka dënuar me forcë aktet kriminale dhe thotë se kanë tronditur thellë opinionin publik dhe përbëjnë kërcënim serioz për rendin dhe sigurinë e qytetarëve.
Kreu i shtetit i ka lëshuar një thirrje autoriteteve ligjzbatuese që të bashkëpunojnë për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës. Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit. I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”, tha Meta.