Këtë mëngjes Fortlumturia e tij Anastasi udhëhoqi qindra besimtarë ortodoksë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Kjo ishte Mesha e parë e Krishtlindjes që ai kremton si shtetas shqiptar.
Gjatë meshës së Krishtlindjeve, në fjalën e tij falenderues ndaj Presidentit Meta Kryepeshkopi Anastas e krahasoi vendimin e Presidentit për dhënien e shtetësisë shqiptare me “Verën, e cila sa më shumë vjetërohet aq më shumë vlera merr”.
“Ditën e djeshme shefi i kabinetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, z. Arben Cici, nxitoi në zyrën time sinodike dhe më dha një telegram nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, ku më vinte në dijeni se Kryepeshkopit iu dha nënshtetësia shqiptare. Shpreha gëzimin tim për këtë akt dhe falënderimet e mia për Presidentin Meta, por shtova që unë që nga çasti kur u bëra Kryepeshkop dhe erdha këtu në Shqipëri jam ndjerë si një qytetar shqiptar që punon dhe ka përgjegjësi për këtë vend.
Dhe ky vendim që mori Presidenti Meta gëzon shumë ortodoksë në mbarë vendin, të cilët presin prej shumë vitesh që të marrin pikërisht këtë lajm dhe ndjejnë gëzim shumë të madh në lidhje me këtë akt. Përfundoj fjalën time duke thënë se disa gjëra, siç është vera për shembull, me kalimin e kohës ato përftojnë vlerë akoma më të madhe. Përvojën time 25-vjeçare këtu, Presidenti e përshkruan me shumë miqësi dhe brenda letrës së tij i shtohet rëndësi shumë të madhe edhe peshë këtij vendimi që ai ka ndërmarrë.
Bashkë me falënderimet tona të përzemërta, lutja jonë buron me gjithë shpirt nga zemra, që t’i falë urtësi, mençuri, guxim Presidentit tim, z. Ilir Meta, të vazhdojë këtë vepër të tij që ka kaq shumë rëndësi në vend, për më shumë mirëqenie dhe progres. E ardhmja i takon vendit tonë dhe rruga drejt Evropës është tashmë e sigurt”, tha Janullatos.