Nga Nju Jorku ku po mban një takim me shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Edi Rama, foli për arritjet e qeverisë së tij në këtë dekadë. Por si arritjen më të madhe, që zuri edhe peshën e fjalimit, Rama renditi Reformën në Drejtësi, që sipas tij sot njerëz me pushtet të profilit të lartë politik janë përballur me ligjin.
Teksa dy liderë të opozitës ndodhen sot në arrest, por edhe disa figura të partisë që ia drejton, kreu i qeverisë theksoi se gjatë qeverisjes së tij njerëz që veshur me pushtet, qoftë majtas apo djathtas, i janë nënshtruar forcës së ligjit.
Dhe, përpos këtij realiteti, Rama u kujdes të kujtonte se ndryshe nga drejtësia në kohën e demokracisë së hershme në Shqipëri, apo disa vite më herët, drejtësia sot nuk orientohet dhe as nuk kontrollohet nga partia në pushtet.
“Njerëz të veshur me pushtet politik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri, qoftë në opozitë. Kurrë më parë një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar dhe as dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika.
Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon drejtësinë ka marrë fund dhe unë jam krenar që me votën e shqiptarëve udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE përpara se sa të hynte në BE.
Jam krenar që me kurajo ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri nuk e bëri dot. I hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia. Dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësa e re po jep edhe në vetë radhët tona ku askush nuk është më i paprekshëm. Ky është investimi më i madh politik i PS të shekullit të ri”, theksoi Rama.