Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ka folur me tone të forta kundër opozitës jashtë parlamentare, duke mos kursyer as artistët.
E ndërsa reagoi në lidhje me akuzat për shembjen e Teatrit, Rama shigjetoi edhe presidentin Meta, si dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.
“Unë nuk dua të mendoj se Luli nuk e do teatrin, ai është një artist i lindur. Larg qoftë nuk dua të mendoj se Ilir Meta nuk e do Teatrin. Ai është gati që me Kushtetutën mbi ballë, të shkojë dhe të hidhet nga maja e një mali, se bashku me Çim Pekën si parashutë”, tha Rama.
Ai nuk është kursyer as ndaj artistëve, ndërsa tha se “Dy Budinat, Budina i madh e Budina i vogël flasin e më pas të emocionuar shkojnë e përqafojnë aktorin Luli”.
Gjithashtu Rama nuk ka nguruar të thotë se ka 21 vite që e pret shembjen e Teatrit.
“Kam 21 vite që e pres kur do pastrohet ajo fushë, jo për kompaninë Fusha, por për të ndërtuar Teatrin e ri kombëtar, që do jetë një Teatër i denjë”, u shpreh Rama.