Përplasje politike po përshkallëzohet teksa Konferenca e Kryetareve e mbledhur mëngjesin e kësaj të marte miratoi kërkesën e mazhorancës për zhvillimin e një mocioni me debat për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.
Ndërkohë ky i fundit ka njoftuar një konferencë për shtyp në orën 16. 00 të pasdites, ku ndoshta mund të vendosë do të shpërndajë parlamentin.
Një prej argumenteve që mund të japë kreu i shtetit është vakanca që ka krijuar djegia e mandateve të opozitës, pasi hyrja nga listat zëvendësuese nuk e ka plotësuar numrin 140.
Mocioni i debatit për shkarkimin e Presidentit do të jete pika e parë e rendit të ditës të një debati që është parashikuar të zgjasë 5 orë, ku koha do të ndahet mes Partisë Socialiste dhe grupeve të tjera parlamentare.
Në kërkesën për debat, mazhoranca e vlerëson vendimin e presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike.
Shumica thotë se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.