Politika Meta: Humori shqiptar humbi një kolos

Meta: Humori shqiptar humbi një kolos

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit e të gjithë artistët për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Devole.

Meta thotë se humori dhe arti shqiptar kanë humbur një prej kolosëve dhe figurave më të dashura.

“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoje se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë! Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Do të kujtojmë gjithmonë duke qeshur i dashur Koço! U prehsh në paqe”, shkruan Meta.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit të njohur Koço Devole, i cili u nda nga jeta pasi humbi ditën e sotme betejën me koronavirusin.

“Ngushëllimet e mija për familjen, të afërmit dhe miqtë e aktorit të madh të humorit shqiptar Koço Devole që humbi jetën tragjikisht në betejë me Covid19. U prehtë në paqe”, shkruan Basha në Twitter.

Aktori i mirënjohur i humorit Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Aktori i shumë roleve në tekekomedi të ndryshme ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve nga virusi Covid-19, ku prej disa ditësh ishte shtruar në spital i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore.