Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se është i gatshëm t’i nënshtrohet çdo lloj kontrolli mjekësor, nëse dyshohet se ai përdor doping apo substanca të tjera.
Duke folur për vendimin e tij të anulimit të zgjedhjeve, kreu i shtetit tha se është e drejtë e tij ekskluzive të caktojë datën e zgjedhjeve, po ashtu dhe të miratojë anulimin e tyre.
Meta tha se “Presidenti do të konsiderohej i çmendur” në rast se do të anulonte zgjedhjet në një kohë që në vend ishte një situatë normale politike.
“Jam i gatshëm t’i nënshtrohem çdo lloj kontrolli mjekësorë, nëse dyshohem se përdor ndonjë doping-u apo ndonjë gjë tjetër.
Presidenti të drejtën e dekreteve nuk e ndanë me askënd, as me Parlamentin dhe as me KQZ-në. Presidenti vendos dekretin kur do bëhen zgjedhjet, ndërkohë që u konsultua me partitë për këtë dekret.
Nëse do të ishte situatë normale dhe Presidenti do anulonte zgjedhjet, atëherë Presidenti do konsiderohej si i çmendur. Ju besoj keni provuar gazin, zjarrin nëpër godina, dhunën nuk e bënte vetëm njëra palë, por të dy palët. Kjo ishte një mënyrë për të shmangur një përplasje të rëndë.
Unë jam i qartë në atë që bëj dhe Kushtetuta e Shqipërisë ia jep të drejtën Presidentit të Republikës. A është anulimi i zgjedhjeve një akt normal? Jo nuk është. Presidenti dekretoi zgjedhjet në konsultim me partitë. Nga nëntori kur u dekretuan zgjedhjet deri në 10 qershor ju e dini se çfarë ka ndodhur. Nuk ka qenë situatë normale. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar një përplasje që mund të kishte pasoja fatale. Mos mendoni se nuk janë vrarë njerëz në Shqipëri që nga 2 prilli deri tek 21 janari.
Dikush thotë e bëri Presidenti këtë se kishte hallin e PD-së dhe LSI-së, e marrëzira të tilla. Është një kriter i Kopenhagënit që ka të bëjë me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato vetëm zgjedhje nuk mund të ishin por një dëm i jashtëzakonshëm për demokracinë dhe funksionimin e pushtetit vendor dhe për datën 18. Në rast se Presidenti nuk do të kishte marrë atë vendim që mori që solli qetësimin e situatës. Parlamenti nxjerr një fletërrufe kundër Presidentit, KQZ-ja ajo partiake thotë nuk e njohim Presidentin, të paktën konfrontimi u evitua.
Në rast se nuk do të kishte dalë dekreti të ishit të sigurt se sot nuk kishte një shpresë se mund të merrej një autorizim për çeljen e negociatave. Gjykata Kushtetuese le të vendosë për atë çështje. Mos harroni, Kodi Zgjedhor nuk parashikon zgjedhje pa kandidatë alternativë sepse Kodi është bërë mbi parimet evropiane të të drejtave të njeriut sepse zgjedhjet bëhen midis dy kandidatëve”, tha Meta.