Pas takimit që ka zhvilluar në selinë e PD-së me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berishën, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se nuk ka pasur asnjë diskutim përsa i përket kandidatëve për bashkitë në vend, pasi kjo siç e thekson Meta i takon procesit të primareve. Gjatë fjalës së tij për mediat, Meta ka zbuluar se i ka propozuar Berishës një emër nga politika për kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të cilin thotë se kryedemokrati e priti me kënaqësi.
Ilir Meta: Kjo histori është zgjidhur, referendum dhe primare. Jemi në një sintoni të plotë, kryetari i ardhshëm i bashkisë së opozitës së vërtetë dhe i kryetari i ardhshëm i Këshillit të Tiranës, i Parlamentit të Tiranës do të bëjë një spektakël të jashtëzakonshëm në pak muaj.
Partia e Lirisë respekton primaret, është risi e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet ky proces kudo që ne si Parti e Lirisë kemi kandidatë të cilët premtojnë për komunitetin e tyre, do t’i përfshijmë në primare të përbashkëta me PD dhe me parti të tjera të opozitës.
Nuk kam pasur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë dhe kudo tjetër për arsye se ky është një proces që i takon primareve dhe do të respektojmë çdo emër që del nga primaret. I kam propozuar një emër Berishës për kryetar të Parlamentit të Tiranës, të cilin ai e priti me shumë kënaqësi. Emrin do ta mësoni shumë shpejt. Parlamenti i Tiranës do të jetë institucioni më i rëndësishëm deri në Parlamentin e ri të Shqipërisë. Është super politikan.