Pas mesnatës së të premtes u miratua ligji për hapjen e dosjeve. Në parlament, Rama u shpreh se kjo do ndihmonte të sqarohej njëherë e mirë se kush është personazhi me iniciale I.M.
Sipas Metës, Rama kërkon të shmangë vëmendjen nga 1 miliard dollarë të reja që planifikon për 7 kontrata të reja për vitin që vjen.
Ai tha se në ato kontrata janë paratë për pedagogët, studentët, pensionet dhe rrogat, të cilat kryeministri nuk po i rrit, sepse sipas kreut të Partisë së Lirisë i duhen për t’i vjedhur.
Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit, pasi doli një dosje ku pretendohej se një person me iniciale I.M, që dyshohet se është ish-presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, gjë që sipas tij nuk është e vërtetë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 94 vota pro dhe 1 abstenim disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.
Meta e komentoi ligjin e dosjeve duke përdorur shprehjen popullore: u mbors mali e polli një mi.
I pyetur lidhur me deklaratën e tij kohë më parë, ku pati thënë se do të sakrifikohej si Salvador Allende për të marrë Ramën me vete, Meta tha se i ka mbajtur të gjitha premtimet duke bërë detyrën sa ishte në korrektesë dhe duke qenë çdo ditë në terren pas 24 korrikut.
“Ilir Meta i ka mbajtur të gjitha premtimet e tij. Nëse unë do isha Alende, Rama s’do ishte dot Pinoçet. Unë e kam mbajtur premtimin dhe deri në 24 korrik aty ka qenë një kështjellë e paprekshme e Kushtetutës. Janë harxhuar qindra miliona euro për presion ndaj Metës, edhe në Gjykatë Kushtetuese, u falsifikua edhe firma e kryetarit të Kuvendit dhe Ilir Meta në 24 korrik e la detyrën, ju përshëndeti me shqiponjën dhe në 25 korrik filloi fluturimin, dhe ju e dini që shqiponjat fluturojnë lart”, tha Meta.
Presidenti i Kilit në vitet ’70-’73 Salvador Allende që u vetëvra si sakrificë ekstreme kundër instalimit në pushtet të një junte ushtarake.