Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Presidenti Ilir Meta ka ngritur shqetësimin për situatën e medias në Shqipëri.
Në një postim në facebook, Meta thotë se kjo ditë e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias.
Kreu i Shtetit thekson se shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët.
“Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante” vijon Meta.
Sipas Presidentit, kjo situatë duhet të marrë fund pasi media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen.
“Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë”.
Në fund Meta ka dhe një mesazh inkurajues për gazetarët, duke u kujtuar se ndryshimi është dorën e tyre dhe se ky ndryshim fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë,
“Të dashur gazetarë, Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës. Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.
Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë!Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”, shprehet Meta