Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që të mos e prekë marrëveshjen e 5 qershorit.
Ai e quan kreun e qeverisë ‘Mister 1 prilli’, ndërsa e cilëson si peng i bandave të armatosura të Shqipërisë.
Kreu i shtetit paralajmëron kreun e qeverisë se nëse ai do prekë marrëveshjen e 5 qershorit, atëherë do jetë në çdo shesh të Shqipërisë.
“Mister 1 Prilli, ti gënjen edhe kur s’e hap gojën. MOS GUXO të vesh dorë mbi Marrëveshjen e 5 Qershorit! Shqipëria kurrë s’ka njohur trafikant më të papërgjegjshëm se sa ti, peng i bandave dhe armiqve të Shqipërisë. Po e preke 5 qershorin, Ilir Metën do e kesh në çdo shesh të Shqipërisë dhe ti do ëndërrosh fatin e shokut tënd që ngeli dhe pa parti. Nëse ndonjë mik i huaj të është ankuar për mua, kërkoji leje se e publikoj unë se çfarë i kam thënë, që ta dëgjojë mbarë bota se për ç’miq bëhet fjala”, shkruan Meta në Facebook.
Rama për Metën: I pari i vendit takon në skuta katundesh viktima të OFL
Nga foltorja e Kuvendit, në seancën ku pritet të votohen ndryshimet në kodin zgjedhor, kryeministri Rama iu drejtua opozitës jashtë parlamentit duke i thënë se nuk ka asnjë shans të kalojë Partinë Socialiste, as me lista të “shqyera”, siç u shpreh ai.
Rama nuk hezitoi të flasë edhe për Presidentin Meta, për të cilin tha se flet me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por jo me PS-në.
“SHPK për të lëshuar deri edhe viktimat e OFL-së, që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit, nuk ka. Lista të hapura që nën formulën e hapjes ndjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion mbi komunitetet për të dalë e për t’u turrur si çakej nëpër zona, t’i harroni ju, ti harrojë edhe Ilir Meta. Ilir Meta del edhe flet në emër të Kushtetutës, në emër të shqiptarëve, me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por nuk i shkon me PS-në dhe popullin shqiptar. Shqipëria ka nevojë për të gjithë, por nuk është sekret, unë nuk jam udhëheqësi i PS për të ushqyer partitë e vogla. Bindja ime është se asnjë parti e vogël gjatë pluralizmit nuk ka sjell asgjë të mirë për Shqipërinë. Partitë e vogla janë grupe interesi, që kanë shqyer më shumë se sa të mëdhatë plaçkën shtet. Partitë e vogla janë parti pengmarrësish”, u shpreh Rama.