Politika Meta: Krenar që kam krijuar LSI-në, nuk keni parë gjë akoma, i...

Meta: Krenar që kam krijuar LSI-në, nuk keni parë gjë akoma, i përkas popullit të 2 marsit

Në një intervistë për emisionin “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, presidenti Meta tha se është shumë krenar që kam krijuar LSI, por qytetarët nuk kanë parë gjë akoma.

Ai theksoi se LSI ka lënë misionin e saj duke lënë mandatet në 2019 dhe la misionin e saj kryesor që ishte integrimi i vendit në BE.

Meta: Jam shumë krenar që kam krijuar LSI-, por nuk keni parë gjë akoma. Tani është çështje e tyre. Do të ishte një mrekulli që Rama dhe Basha të kenë arritur që ta çojnë për skrap LSI-në. Nuk ka qenë e lehtë që të ndahesh nga një parti si PS, në një situatë të polarizuar.

LSI ka lënë misionin e saj duke lënë mandatet dhe la misionin e saj kryesor që ishte integrimi. Këta pastaj dolën në bulevard. I vetmi bulevard në demokraci janë institucionet. Kam keqardhje që nuk i kam marrë të gjithë deputetët e opozitës për djegien e mandateve. Sigurisht që ndryshimi që unë shpresoja dhe që ishte i nevojshëm nuk ndodhi, por parlamenti është diçka më ndryshe nga ai që ishte dy vitet e fundit. Shpresoj që opozita t’i kthehet misionit të saj për kontrollin e qeverisë dhe jo të kontrollohet nga ajo. Unë i përkas përjetësisht popullit të 2 marsit dhe jam në shërbim të kushtetutës dhe sovranitetit të vendit.

“PD ka problem me lidershipin, nuk mban përgjegjësi, gjithmonë do të shpikë një fajtor”

Gjatë intervistës, presidenti Meta tha se është fakt që opozita ka një problem me legjitimitetin e lidershipit, pasi sipas tij, ky lidership nuk mban përgjegjësi.

Ai theksoi se PD e ka për detyrë që ta zgjidhë në mënyrën më demokratike e bashkëpunuese këtë situatë, si një aset kombëtar.

Meta: Është fakt që opozita ka një problem me legjitimitetin e lidershipit, pasi ky lidership nuk mbaj përgjegjësi. Gjithmonë do të shpikë një fajtor. Vetë e ka pranuar Basha se ka një dualizëm në drejtimin e PD-së. Nuk e di se sa e vërtetë dhe reale është kjo sepse nuk kam qenë pjesë e forumeve të tyre. Mendoj se PD-ja si një aset i rëndësishëm kombëtar, si një parti që mbron interesin kombëtar dhe parti e lirisë, ka për detyrë që ta zgjidhë në mënyrën më demokratike e bashkëpunuese këtë situatë.

Ndoqa propozimin e Edi Palokës, një ndër figurat më të njohur atë PD-së dhe kreu i Këshillit Kombëtar, që bëri një thirrje për të gjetur një rrugë e zgjidhje demokratike. Një opozitë me probleme është një problem për të gjithë vendin, sepse opozita ka për detyrë që të mbrojë qytetarët nga qeveria.