Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për pronat e paluajtshme. Sipas kreut të shtetit në asnjë raport nuk rezulton i arsyetuar se përse ky projektligj është përfshirë në procedura parlamentare në mënyrë të përshpejtuar. Prandaj për Metën, mund të rrezikojë të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë.
“Ky ligj, në mënyrë të pashpjeguar dhe arsyetuar, është shqyrtuar me urgjencë brenda 7 ditëve nga Kuvendi. Nisma që paraqitet si ndërhyrje në legjislacionin në fuqi për forcimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e interesit dhe pasurisë publike, në fakt rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë”, njoftoi presidenti.
Sipas Metës, në këtë ligj vëmendja e qeverisë dhe e Kuvendit ka qenë tek rregullimi i marrëdhënieve juridike që shteti ka lidhur apo do të mund të lidhë me persona të tretë për përdorimin e pasurisë pronë publike, tashmë edhe pa një afat të përcaktuar. Prandaj për të, ndërhyrjet në ligj bëjnë që askush të mos përcaktojë, të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme ndodhet ose jo në regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme pjesë e “vijës bregdetare”.
“Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik”, thotë Meta.
Ndër të tjera, ligji për kreun e shteti bën trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve me tituj pronësie apo përdorimi pasurie të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar në raport me investitorët në këto zona.
“Ky ligj, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend”, përfundon Meta.