Presidenti Ilir Meta kërkon marrjen e masave urgjente lidhur me votimin e emigrantëve shqiptarë. Në kërkesën drejtuar qeverisë, ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe organeve të KQZ-së, Meta thekson se ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet që duhet të jenë të lira e të ndershme.
“Nëse një masë e tillë lihet në fuqi, dhe bëhet pengesë për emigrantët që duan të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë, ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet që duhet të jenë të lira e të ndershme”.
Ky reagim i presidentit Meta erdhi pas reagimit të një shoqate të emigrantëve, e cila shprehte indinjatën ndaj vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për karantinimin dy javor të atyre që kthehen nga Greqia.
“Shoqata e emigrantëve shpreh indinjatën e thellë ndaj propozimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve në Shqipëri, për vendosjen e një periudhe karantine dy javore, për emigrantët shqiptarë në Greqi që kthehen në Shqipëri përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Ky fakt është një tregues më shumë se kjo vendimmarrje, që përkon me këtë kufizim të vendosur pikërisht një javë para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, në datën 25 prill 2021, bëhet për arsye të pengimit të emigrantëve shqiptarë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës”.
Nisur nga kjo presidenti kërkon “marrjen e masave të menjëhershme për të mos krijuar pengesa të tilla artificiale, të pambështetura në të dhëna të vërtetuara shkencore të ekspertëve të fushës, dhe që çojnë në cenimin direkt të së drejtës së votës”.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia bëjnë karantinë, për të kufizuar përhapjen e COVID-19, nisur nga situata në këto vende si dhe për shkak të lëvizjes së shtuar të pritshme, nga pashkët ortodokse. Vendimi tjetër i Komitetit Teknik lidhet me rikthimin e mësimit të kombinuar në gjimnaze.