Presidenti Ilir Meta, në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së hënës, deklaroi se Kuvendi ka dhunuar procedurat në procesin farsë, sipas tij, “që synon kapjen e institucionit më legjitim të këtij shteti”.
Kreu i Shtetit u ndal te zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, duke lexuar disa nga pyetjet dhe përgjigjet në seancë, duke shtuar se nesër, në orën 09:00, do të jenë të publikuara të 72 pyetjet dhe përgjigjet.
“Dita e sotme ka patur disa zhvillime të papritura, prandaj dhe kemi dalë vonë sot dhe do ta kemi të vështirë që t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve, por nesër në orën 9:00 do të jenë të publikuara 72 pyetjet. Nesër do të dorëzojmë padi pasi është një gjë shumë e rëndë dhe tepër kriminale që në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë të dorëzojë pa e kërkuar askush një provë gjoja të re që është vetëm një falsifikim për të justifikuar këtë proces farsë”, tha Meta
“Presidenti ka pasur një qëndrim shumë të qartë midis forcave politike, pa nënvlerësuar apo mbivlerësuar asnjë subjekt politik. Presidenti ka ndërmarrë disa herë iniciativa drejtuar të dyja palëve për të zbatuar Reformën në Drejtësi. Presidenti ka ndërmarrë reforma për të nxitur bashkëpunimin mes palëve, po ashtu ka ndërmarrë iniciativa për shmangur përplasjen dhe këto janë fakte, me të cilat gjykata është njohur”, shtoi Meta.
“Edhe gjatë pandemisë, Presidenti ka ndërmarrë nisma për ruajtjen e paqes dhe qetësisë”, theksoi presidenti Meta.