Kryesore Meta, letër Manastirliut: Situata e pandemisë drejt katastrofës

Meta, letër Manastirliut: Situata e pandemisë drejt katastrofës

Presidenti Ilir Meta publikoi një letër zyrtare dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, ku kërkon rivlerësimin tërësor të situatës me koronavirusin dhe masave në raport me të.

“Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”, shkruan Meta ne një reagim të tijin që shoqëron letrën.

Nuk vonoi edhe reagimi i Kryeministrit, i cili thekson se “rritja e numrave të infektimeve është brenda pritshmërive dhe se janë ekspertët ata që vendosin për hapat që duhet të hidhen më tej”.

“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh”, shkruan Rama.

LETRA E PLOTË E METËS DREJTUAR MANASTIRLIUT:

Referuar informacioneve zyrtare, situata e pandemisë COVID-19 është rënduar dukshëm javët e fundit në vendin tonë. Sa më sipër, mendoj se duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Elementët themelorë, të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë natyrshëm një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre. Duke pasur parasysh që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Evropë, çfarë masash janë marrë për të shtuar këtë numër? A ka ndonjë parashikim se kur dhe sa do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim?

A kemi staf mjekësor dhe mbështetës mjaftueshëm për të siguruar gjurmimin e kontakteve, veçanërisht me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19? Çfarë përpjekjesh janë bërë për vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, si në nivel testimi ashtu edhe diagnostikimi dhe mjekimi të pacientëve që mjekohen ambulatorisht?

Çfarë masash janë marrë për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, që mjekohen ambulatorisht, duke pasur parasysh që këto shpenzime kapin vlera shumë të larta për qytetarët shqiptarë?  Për sa i takon trajtimit, vërehet qartë se të dy strukturat e përcaktuara, spitalet COVID1 dhe COVID2 janë tepër të ngarkuara.

Sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve Covid dhe sa në dispozicion të të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike ose jo, të cilët kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore? A ka një plan koordinimi midis sistemit shëndetësor publik e atij privat për testimin, gjurmimin dhe kurimin sa më të mirë të pacientëve të prekur nga Covid-19?

Si është planifikuar vaksinimi stinor dhe sa është përqindja e popullsisë me risk të lartë, e vaksinuar deri në këto momente? Çfarë masash janë marrë për sigurimin e vaksinës dhe për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 dhe si mendohet të kryhen fazat e këtij vaksinimi menjëherë mbas daljes së vaksinës?

A janë planifikuar në buxhetin e shtetit fonde të mjaftueshme për përballimin e pandemisë Covid-19, në rritje dhe pasojat e saj në shëndetin e popullsisë? Sa financime janë kryer deri tani, sa janë parashikuar të kryen në javët dhe muajt e ardhshëm dhe cilat janë instrumentet financiare që do të përdoren për të përballuar situatën shëndetësore që po përkeqësohet dita ditës?