Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, në një konferencë me gazetarët këtë të hënë, është shprehur se po bën gati një padi ndaj Autoritetit të Dosjeve, të cilën është shprehur se do ta dorëzojë më 1 shtator.
Sipas Metës, padia do të bëhet për nxjerrje të sekretit shtetëror.
“Më 1 shtator do të padis penalisht Autoritetin e Dosjeve për manipulim dhe falsifikim të qëllimshëm. Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën. Autoriteti Dosjeve po përdoret në mënyrë kriminale. Po cenohet privatësia e një qytetari për interes të Edi Ramës. Frika e Edi Ramës, sepse nuk e blen dot opozitën dhe nuk trukon dot ndeshjen përpara. Rast skandaloz i përdorimit të metodave të Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Meta.
Meta u shpreh se përpjekjet e maxhorancës sot për të manipuluar çështjet në favor të tyre ia kalojnë edhe Partisë së Punës.
“Jam njohur me dosjen e përndjekjes së qytetarit F.T. nga Sigurimi i Shtetit. Nuk ka asnjë dosje për përndjekje nga shtetasi Ilir Rexhep Metaj. Ua kam treguar edhe origjinën që nga çerdhja deri te Pazari i Ri. Është e qartë.
Është një çështje me të cilën do të njiheni edhe ju. Edi Rama do të ketë edhe një akuzë më të rëndë sepse ka urdhëruar falsifikim në dosjen e një qytetari. Unë e di shumë mirë pse e ka bërë ai. Për shkak të veprimeve të përgjegjshme të presidentit të republikës në mbrojtje të kushtetutës, të cenuara nga Edi Rama si kryeministër në shërbim të qarqeve anti-shqiptare.
Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën. Nuk i kanë funksionuar askujt. I.M. do të dalë spiuni ambulant Tao Tao. Një kameleon në shërbim të atij që i ofron një tender dhe një mundësi më të mirë për të jetuar. Ky rast i autoritetit të dosjeve do të jetë një rast ekzemplar se si keqpërdoret në mënyrë kriminale që duhet të jetë shembull i zbatimit të ligjit. Duhet të karakterizohet nga humanizmi dhe jo të cenojë privatësinë e qytetarëve thjesht për t’i shërbyer Edi Ramës nga tmerri që ka që nuk e blen dot më opozitën.
Do të jetë një rast skandaloz i përdorimit të metodave më të ndyra të ish sigurimit të shtetit pas 32 vitesh demokraci. Përpjekja e tyre është të shtyjnë çdo ditë me këto historitë. I bëjnë këta që ia kanë kaluar edhe Partisë së Punës. Jemi vend anëtar i NATO-s. Dhe i përdorin këto që të shpëtojnë nga ndëshkueshmëria e shpejtë që i pret. Me ligjet që kanë shkelur vetë do të përgjigjen para ligjit. Dhe do kthejnë çdo cent”, tha Meta.