Kur jemi edhe 4 ditë nga zgjedhjet, presidenti Ilir Meta bën thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje, ndërsa u kërkon të “fortëve”, siç i quan ai, të mos përdoren nga pushteti kriminal, pasi do t’u sekuestrohet gjithçka.
“Edhe 4 ditë, që Sovrani të rimarrë në duart e tij sovranitetin e grabitur pabesisht dhe poshtërsisht me zgjedhje si ato të Shijakut, të Dibrës, dhe me ato të paligjshme vendore.
Të gjithë qytetarët të verifikojnë qendrat e tyre të votimit dhe me qetësi dhe vendosmëri të nisen drejt kutive të votimit në këto zgjedhje historike për vendin dhe kombin tonë për 100 vitet e ardhshme.
Asgjë nuk e ndal triumfin e vullnetit të Sovranit, që përmes Referendumit të 25 Prillit do ta përmbysë Fuks-Shtetin e “Rilindjes” dhe do të rivendosë shtetin e së drejtës dhe Llogaridhënien.
Të gjithë ju zyrtarë, që nuk keni kartelë psiqike, mos e rëndoni pozitën tuaj duke shkelur ligjin dhe Kodin në ditët dhe orët, që vijnë.
Të gjithë ju “të fortë”, që po përdoreni nga pushteti kriminal për presione dhe blerje votash, bëhuni gati se edhe pulat do t’ua sekuestrojmë!
Kush prek votën e 25 Prillit ka sulmuar sovranitetin e popullit dhe të Republikës së Shqipërisë dhe do trajtohet si armik i Republikës dhe Kushtetutës!
Kush shet votën, shet nderin e familjes së tij dhe nuk e meriton të quhet njeri dhe kurrsesi shqiptar.
Përpara me qetësi e vendosmëri drejt qendrave të votimit, për Shqipërinë europiane, që ristarton fuqishëm më 25 Prill.
Shqipëria do të jetë e shqiptarëve përjetësisht!”, mbyllet postimi i Ilir Metës.