Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat ka sqaruar zyrtarisht incidentin në zyrat e FRD-së në kryeqytet. Në deklaratën e tij kreu i shtetit thotë se sulmet ndaj FRD janë kryer në shkelje të kushtetutës.
Ai theksoi se sulmi në selinë e kësaj partie ishte planifikuar pasi letra që kërkonte lirimin e ambienteve nuk plotësonte asnjë element minimal ligjor. Meta ka deklaruar se ka shkuar në këtë seli për të verifikuar situatën, ndërsa theksoi se policia bashkiake e ka penguar që të kryejë detyrën.
“Sulmet ndaj FRD janë kryer në shkelje të kushtetutës dhe pa asnjë akt zyrtar që legjitimon veprimtarinë e tyre. Veprimtaria e kreut të bashkisë është cenim i hapur i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minon frymën demokratike që duhet të karakterizojë të gjitha subjektet. Në zyrat e FRD ishte ngjitur një letër pa orgjinë pa vulë pa protokoll që ta bënin të dukej si akt zyrtar për të justifikuar veprimet e dukshme arbitrare. Kjo letër nuk plotëson asnjë element minimal. I kërkohej lirimi i ambienteve për nevoja të bashkisë. FRD i është shkëputur energjia, ndërkohë që kryetari dhe disa drejtues ishin të bllokuar brenda zyrave. Kam ndryshuar agjendën dhe vizitova selinë e FRD dhe kontaktova dhe u drejtova për në zyrën e FRD. Kur u drejtuam në hyrjen kryesore të godinës dera ishte rrethuar me policë me uniformë sikur të ishte skenë krimi dhe jo selia e një partie ligjshme”.
Me tone të ngritura kreu i shtetit i bëri thirrje popullit të mbrojë votën e tij ndaj kujtdo dhe tha se në këtë krizë që ka pllakosur vendin mos prisni president të përsosur, pasi detyra e presidentit është t’i dalë zot kushtetutës.
“Raste të tilla me letra bakalli ka që te Shkoza, te bregu i Lumit dhe kjo ka ndodhur se u dhunuan zgjedhjet në Shijak dhe Dibër. Promovohen kandidatë për deputet dhunuesit e zgjedhjeve. I bëj thirrje popullit shqiptar të mbrojë votën e tij ndaj kujtdo. Mos prisni president të përsosur në këtë krizë që ka pllakosur vendin tonë. Presidenti ka plan të qartë, ka vetëm një votë që do të jetë e barabartë me qytetarinë Shqipërisë. Qytetarët e Shqipërisë nuk kanë vlerësuar të drejtën e tyre. Aty është e drejta e ndihmës ekonomike dhe e pronës. Çdo qytetar i Shqipërisë të tregojë përgjegjshmëri maksimale për votën e tij. Përdhunohet e drejta kushtetuese e një force politike në mes të Tiranës dhe në prani të presidentit. Përballë nesh është një bandë ndërkombëtare duke shtypur popullin”, tha Meta.