Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk ka asnjë vlerë juridike për datën e zgjedhjeve vendore. Kështu është shprehur Presidenti Ilir Meta në një konferencë për shtyp mëngjesin e së hënës që nisi në orën 08:00.
Sipas kreut të shteti, dekretin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Ndërsa anëtarët e Partisë Socialiste në KQZ, të cilët nuk njohin dekretin e Metës, i quajti “organizatë socialiste”. Pavarësisht se Partia Socialiste në pushtet vijon fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, Presidenti Meta deklaroi se data 30 Qershor është e paligjshme.
“Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike. Kolegji vendosi pro këtyre zgjedhjeve imagjinare. Por, sqaroj, se vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e kësaj partie në KQZ, aleatës së PS, që kanë ndër mend të zhvillojnë zgjedhje imagjinare. Vendimi i marrë dje ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese dhe organizatës socialiste në KQZ që kanë vendusur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor. Presidenti sqaron se në këtë poroces Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë e Presidentit të Repiblikës. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur si palë në këtë proces. E për pasojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik. Vendimi i djeshëm ka efekt për kundrejt palëve në proces dhe vetëm për ata që çka është vendosur midis këtyre dy palëve, pranë organizatës socialiste në KQZ dhe aleatit të PS. Vendimi i djeshëm është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e organizatës politike në KQZ. Ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës. Gjithçka që u pa dje ishte një shfaqje e rëndomtë që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës. Jemi në një situatë paradoksale kur Presidenti i Republikës ka anuluar një proces zgjedhor. Dekreti i Presidentit është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës. Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri. Vazhdoj të jem i duruar, të pres reflektimin e tyre dhe të kuptojnë se kanë përgjegjësi përpara qytetarëve shqiptarë, taksapaguesve dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë që po vihet në pikëpyetje”.
I pyetur nga gazetarët nëse ka menduar të japë dorëheqjen nga detyra e tij si President, Ilir Meta dha këtë përgjigje: “Ky institucion nuk i përket Ilir Metës, ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjeri kurrë. Përkundrazi, nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar. Ky është një vend që u takon gjithë shqiptarëve. Bashkë do të jemi këtu deri në 24 Korrik të vitit 2022″.
Nëse nuk do të kishte anuluar datën 30 Qershor dhe zgjedhjet të bëheshin pa pjesëmarrjen e opozitës, Meta theksoi se kjo do të ndikonte në negociatat europiane të Shqipërisë për një kohë të gjatë.
“Mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë. Edhe siur të bëheshin zgjedhjet pa opozitën, e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë. Pa zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe me standarde me të mira se të kaluarat nuk ka çelje negociatash. Për këtë më besoni mua, unë jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më tani në mëngjes”.
Pyetjes nëse konsideron mundësinë e shpërndarjes së Parlamentit, Presidenti iu përgjigj duke thënë se në çdo veprim që do të bëjë, do të jetë i përgjegjshëm.
“Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri edhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe të interesave të saj”.