Presidenti Ilir Meta ka sulmuar homologun rus Vladimir Putin, gjatë fjalës së tij në Forumin IX Global të Bakusë “Rezistenca globale, bashkëpunimi global”.
Sipas Metës, lufta në Ukrainë prodhoi efektin e kundërt të asaj që priste Rusia. “Nuk i ndau, por i bashkoi kombet tona. Putini donte një NATO më të paktë, por ai po përballet me një NATO më të zgjeruar, me më shumë prani të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës dhe gjithashtu, edhe me më shumë anëtarë të Aleancës Atlantiko-Veriore”, shkruan Presidenti në një postim në Facebook.
“Ky peizazh i ri gjeopolitik e konsideron të nevojshme një qasje të re të BE-së dhe NATO-s për zgjerimin dhe sigurinë kolektive. Zgjerimi duhet të konsiderohet një instrument i fuqishëm gjeostrategjik.
Konflikti në Ukrainë ka rritur pamasë urgjencën e anëtarësimit të vendeve aspiruese për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Europian”.
Meta tha se ndikimi rus në vendin tonë dhe rajon mbetet shqetësim. “Këto veprime do të parandalonin ndikimin e palëve të treta në disa rajone të pambrojtura. Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi të shqetësuar për ndërhyrjen e përfaqësuesve rusë, të cilët synojnë të minojnë demokracinë dhe stabilitetin tonë”.