Presidenti Ilir Meta është gjendur ditën e sotme në Durrës me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës Antifashiste.
Në një deklaratë për mediat Meta kujtoi Mujo Ulqinakun dhe të gjithë atdhetarët që dhanë jetën për liri, ndërsa dha një mesazh për palët politike, duke thënë se normaliteti kushtetues mund të arrihet me dialog.
“Jemi këtu për të kujtuar me krenari të pafund Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ata që i qëndruan betimit për atdhe. Përulem me nderim përpara një ushtaraku aq të thjeshtë, i cili bëri një shërbim historik. Rivendosja e normaliteti kushtetues mund të arrihet me dialog të vërtetë dhe të përgjegjshëm mes partive politike. Përparimet që ka bërë Shqipëria nuk mund të shkojnë dëm nga kokëfortësia e liderëve politikë”, deklaroi Meta.
Në foto: Presidenti Meta me Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qendresës, i cili sipas Metës “jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar. Me gjakun dhe veprën e tyre, Mujo Ulqinaku dhe patriotët e tjerë frymëzuan rezistencën antifashiste që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe qytetërimit. Ndaj sot çdo shqiptar kudo ku ndodhet kujton me nderim e mirënjohje heroizmin e tyre sublim në emër të lirisë dhe flamurit”.