Ilir Meta zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ të Partisë së Lirisë, ku vendosi edhe piketat për punën në vazhdim të partisë.
Ai theksoi se nga sot do të nisë puna në 3 drejtime kryesore, duke theksuar se e treta ka të bëjë pikërisht me përgatitjet për qeverisjen e vendit.
“Nga sot do të punojmë në 3 drejtime. Nga sot, ju bëj të ditur se do të punojmë në 3 drejtime. E para, revolucioni antikorrupsion. E dyta, organizimi i Partisë së Lirisë duke u hapur, jo duke u shqetësuar se kush po vjen.
E treta, përgatitja për qeverisjen e vendit.
Dy të parat do të jenë detyrat tona kryesore, me mua dhe të gjithë ju. Përgatitja për qeverisjen do të jetë padyshim e imja, por do të jetë edhe e zotit Nesho e profesor Petraqit dhe e shumë intelektualëve dhe ekspertëve”, tha Meta.
Ish-Presidenti u shpreh se revolucioni anti-korrupsion do të vendosë një herë e mirë lirinë. Më tej shtoi se duhet ecur me një ritëm më të shpejtë në luftën me korrupsion. Në krye të plaçkitjes së vendit, sipas Metës, është Edi Rama.
“Një vjedhës i pamëshirshëm që vjedh çdo gjë”, u shpreh Meta.
Akuza pati edhe për ish-kreun e PD-së Lulzim Basha, që sipas tij ishte i shitur tek pushteti.