Aktori Agron Llakaj u shpreh sot se me gjithë përpjekjet pranë presidentit Meta për të mundësuar dekorimin në mënyrë simbolike të Xhevahir Zenelit, nuk ia ka arritur qëllimit, edhe pse siç thotë ai “s’ka ngelur njeri pa u dekoruar”.
“Më vjen keq, u përpoqëm shumë gjatë gjithë kësaj kohe të arrinim të siguronim një nderim, një titull për ty në këtë ditë, por nuk e realizuam dot. Kjo është pjesë e dështimit tim personal në raport me ty”, u shpreh Llakaj.
“Ndoshta jo thjesht se ti e meriton të marrësh një titull që të quhesh “Mjeshtër i Madh”, se ti mjeshtër i madh je, por do të më pëlqente simbolikisht që vlera e një artisti, si puna jote të meritonte në mënyrë protokollare një çmim”, sqaroi Llakaj në një mesazh drejtuar mikut të tij artist, Xhevahir Zeneli.
“Se kush nuk ka marrë o Xhefri, dhe ti e thua shumë mirë: më mirë të ngelem “Mjeshtër i vogël”. Por ti me talentin tënd je njeri kaq i dashur, je një humorist shumë popullor”, deklaroi Lllakaj.
Sipas Llakajt, në një periudhë tjetër ka qenë një titull që quhej “Artist i Popullit” dhe mua, shprehet ai, “më vjen mirë që je artist i popullit”.