Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk ka harruar të përkujtojë, ndonëse pas hekurave të burgut, 80 vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesi nazifashist.
Teksa dha mesazhin e tij për djemtë dhe vajzat që u sakrifikuan për lirinë e Shqipërisë, Ilir Meta shkruan se në ditët e sotme vendi rrezikohet nga tradhtarët dhe kolonizatorët e rinj sorosianë.
“Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, mirënjohja dhe respekti i pakufijshëm shkon për të gjithë martirët e luftës për liri, për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilët megjithëse në moshë tepër të re sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.
Sot të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht në këto kohë jo të lehta për vendin, kanë një detyrë po aq të madhe dhe historike, sa edhe bashkëmoshatarët e tyre tetë dekada më parë, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut, të rrezikuar nga tradhtarët e kombit që shesin kufijtë e Shqipërisë, që dëshmorët i mbrojtën me gjak, nga grabitqarët e pashpirt të pronës dhe interesit publik, si dhe nga kolonizatorët e rinj të juntës sorosiane që kërkojnë të zhbëjnë vlerat kombëtare, familjare dhe të shtetit të së drejtës”, shkruan Meta në Facebook.