Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas studimit të “The Economist”, që parashikon një tkurrje të shpejtë të popullsisë në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë, për shkak të plakjes.
Teksa citon të dhënat e studimit sipas të cilit në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë, kreu i shtetit cilëson si të dhënë mjaft tronditëse edhe shpejtësisë e plakjes, ku sipas studimit mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
“Trishtim më të madh nuk mund të ketë!
Një vend i bekuar nga Zoti me bukuri të jashtëzakonshme dhe pasuri natyrore që jo shumë vende në botë i kanë, po braktiset gjithmonë e më shumë.
Edhe pse qeveritë në planin afatshkurtër mund të përfitojnë nga emigrimi pasi kështu ulen fiktivisht treguesit e papunësisë apo mund të rriten të ardhurat nga remitancat, në perspektivë mosadresimi i menjëhershëm dhe në mënyrë agresive i këtij fenomeni do të kishte pasoja katastrofike sidomos për një vend si i yni”, shkruan presidenti teksa shton se tashmë ka ardhur kohë që “shqiponjat të kthehen në folenë e tyre”.