Ilir Meta deklaroi sot se është i gatshëm që të bashkëpunojë me të gjithë faktorët e opozitës, teksa përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i Patisë së Lirisë shtoi se qëllimi i tij nuk është as të kthehet në politikë aktive, as të marrë lidershipin e opozitës, por se qëllimi i tij është “përmbushja e një misioni”.
Me tej, gjatë një interviste për Report TV, ai e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha, si Cristiano Ronaldo, duke thënë se pavarësisht moshës ai është në formën më të mirë.
“Këto janë në kuadrin e diversioneve të Rilindjes. Një politikan që u shfaq si Lulzim Basha kishte energji vetëm për të gënjyer dhe jo për të mbajtur premtimet. Për të parë interesin e tij personal dhe jo kombëtar, jo forcës politike që trashëgoi. Dihet që në rastin e zotit Berisha, është si të flasim për moshën e Ronaldos ndërkohë që është më në formë se kushdo tjetër.
Qëllimi im nuk është as të kthehem në politikë aktive, as për të marrë lidershipin e opozitës. Qëllimi im është përmbushja e një misioni që jam thërritur. Më ka thërritur 25 prilli. Unë në 26 e kam bërë të qartë se kur të mbaroj mandatin do rikthehem. 25 prilli ishte akti final për shuarjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Do bashkëpunoj me të gjithë faktorët e opozitës, që nuk duan të jenë peng e një shteti që nuk ekziston. Sot kemi parë vogëlush dhe parashkollorë që dolën në grevë përpara Kryeministrisë. Fëmijë që prindërit kanë paguar lekët për një kopësht model. Ai në mënyrën më arbitrare i nxjerr ata në rrugë. Skenat që kemi parë sot kanë qenë tronditëse. Në vend të atyre prindërve, mund të ishin të tjerë. Këtu është rrëzuar siguria juridike”, u shpreh Meta.