Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për nisjen hetimeve nga SPAK për të për një padi të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri.
Ilir Meta shprehet në një postim në Facebook se kryeministrin Edi Rama nuk e shpëton dot asgjë. Meta nënvizon se shtatori po vjen dhe drejtësia e popullit nuk do të ndalet.
“Meqenëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më! Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!”, shkruan Meta.
SPAK ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta, ku sqarohet se kërkesa e drejtuar KQZ për një kopje të formularit të vetëdeklarimit për të, është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.
Padia e Halit Valterit
Më 7 qershor, ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK një kallëzim penal për ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe Vangjel Tavon.
Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.