Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha sot se bizneset e ndershme në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë vuajnë, ndërsa qeveria sipas toj, shpik investitorë strategjikë që marrin asetet publike të vendit.
Sipas ish-Presidentit Meta, projekti për Portin e Durrësit është një aferë, duke i bërë thirrje qytetareve që të kenë kujdes.
“Ju e dini sa po vuajnë sipërmarrësit e ndershëm në Durrës dhe gjithë Shqipërinë dhe shikoni si papritur shpiken investitorë strategjikë duke marrë asetet më të mira publike dhe falë vendimeve selektive, favorizuese në dëm të konkurrencës nga vetë qeveria dhe kryeministri.
Kemi aferën e portit që do ta quaja unë, një aferë që është kundërshtuar nga opinionin për shkak të transparencës, por edhe nga BE sepse bie në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizimit-asocimit. Kjo marrëveshje bën të Qartë që të gjitha marrëveshjet e tilla duhet të bëhen në bazë të konkurrencës dhe jo eliminimit të konkurrencës
Këtu kemi të bëjmë me një aferë shumë të qartë, me një arrogancë dhe brutalitet nga i cili nuk përfitojnë qytetarët e Durrësit dhe as ekonomia e Durrësit. I ftoj qytetarët që të jenë të kujdesshëm”, tha Meta.
Gjatë takimit me strukturat në qytetin e Durrësit, Meta drejtoi akuza ndaj qeverisë, që sipas tij në zgjedhjet e fundit është bërë presion nga grupet mafioze.
Sipas Metës, Durrësin duan ta mbajnë nën pushtetin e frikës dhe të drogës, ndërsa theksoi se ky qytet është viktima e dytë e korrupsionit dhe betonizimit pas Tiranës.
“Në zgjedhjet e fundit, Durrësi përjetoi si rrallë zona të tjera në Shqipëri, si Elbasani ndoshta, një presion të jashtëzakonshme të mafies qeveritare dhe të gjitha grupeve të tjera mafioze, të cilat duan ta mbajnë Shqipërinë, por sidomos Durrësin nën pushtetin e tyre të frikësimit, të korrupsionit, të drogës, të gjithë jemi dëshmitarë të importit të suksesshëm të bananeve. Durrësi që është viktima më e dytë më e madhe e korrupsionit, e betonizimit, e pastrimit të parave, pas Tiranës, ka shumë arsye, jo vetëm për të reaguar dhe zgjuar qytetarinë, për të ruajtur intensitetin, për të mbrojtur komunitetin familjen dhe vlerat e saj, por edhe të ardhmen, sepse është një qytet që ka vuajtur”, tha Meta.