Politika Meta pret ambasadorin e Suedisë: Investimet janë të mirëpritura

Meta pret ambasadorin e Suedisë: Investimet janë të mirëpritura

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta priti në një takim lamtumire Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Johann Ndisi.

Kreu i Shtetit falënderoi Ambasadorin Ndisi për kontributin e dhënë në forcimin mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Gjithashtu, Ilir Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë, por theksoi se ekzistojnë hapësirat për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomiko-tregtare.

Ai përgëzoi qëndrimin mbështetës të Suedisë për proceset e integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi, si dhe për asistencën zhvillimore për forcimin e kapaciteteve administrative, zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si edhe mjedisin dhe klimën.

Investimet suedeze janë të mirëprituara, vlerësoi Presidenti Meta, edhe në fushën e shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme dhe për zhvillimin e turizmit.