Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ambasadorin Richard Grenell.
Meta u shpreh se mbështet përpjekjet e vazhdueshme të Grenell për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.
“Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes ambasadorin Grenell. Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri”, tha Meta.
Meta u shpreh se përpara se të vizitojë bukuritë e jugut të Shqipërisë ai i dhuroi ambasadorit Grenell, librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare.
“Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur”, theksoi Meta.
Ambasadori Richard Grenell ka qenë ish-ambasadori i SHBA-së në Gjermani, ish-ushtruesi i detyrës së Drejtorit Kombëtar të Inteligjencës si dhe i dërguari i posaçëm presidencial për dialogun Kosovë-Serbi.