Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp pasditen e sotme ku akuzoi mazhorancën se “ka rrëmbyer në mënyrë mafioze anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”
“Iu kemi treguar të gjithë juve, me qetësi dhe me drejtësi, hap pas hapi se si ka ndodhur puçi në bazë të provave të reja, që u detyruan të na i sjellin vetëm dje, pas insistimit për të mos na i sjellë, vetëm pasi ne denoncuam këtu Qendrën e Botimeve Zyrtare që po shkelte Kushtetutën duke mos informuar Presidentin për një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm, që do t’i dorëzohet dhe Komisionit të Venecias, që ata e kërkuan dhe nuk e gjetën dot”, tha Meta.
Meta bëri të ditur se do të ketë çdo ditë konferencë për mediat, ndërsa, teksa foli për “besëlidhjen” e 2 marsit, tha se Shqipëria do të bëhet kuqezi pas kësaj dite. “Nga 2 marsi, Shqipëria do të bëhet kuqezi, siç e duan të gjithë shqiptarët dhe siç ka qenë jetë e mot”, tha Meta.
“Grushti i shtetit”
Presidenti Ilir Meta, duke ia kaluar fjalën këshilltarit të tij ligjor, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka falsifikuar shkresën e dërguar për botim në Fletoren Zyrtare ku emërohet Arta Vorpsi si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.
Këshilltari i Metës, Bledar Dervishi, tha se ky është fakti i radhës që sipas Presidencës dëshmon sesi po realizohet grushti i shtetit.
Sipas Dervishit, për këtë akt kanë bashkëpunuar kreu i KED Ardian Dvorani, Ministria e Drejtësisë dhe Qendra e Botimeve Zyrtare, për emërimin e Vorpsit.
Ai ka bërë me dije se Botimi në Fletoren zyrtare të vendimit për emërim të Arta Vorpsit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese është bërë në shkelje të ligjit.
Dervshi deklaroi se Ministria e Drejtësisë, pasi ka marrë një shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ku njoftonte se Vorpsi emërohet si gjyqtare dhe ku kërkohej që ky vendim të botohej në Fletoren Zyrtare, ia ka nisur shkresën Qendrës për Botimet Zyrtare. Por kjo nuk është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, shprehet Dervishi.
“Ne iu drejtuam Qendrës së botimeve në Fletoren Zyrtare për informacion, sepse Dvorani tha se nuk e kishte dërguar ai këtë shkresë, i kërkuam mënyrën e administrimit të kërkesës dhe pas konferencës së djeshme, menjëherë na janë përgjigjur duke komunikuar se “vendimi 132, është dërguar nga Ministria e Drejtësisë me numër shkresë 7575”. Të nderuar, me këto fakte të reja kuptohet si qeveria ka dashur të shtrembërojë procesin për t’i rrëmbyer presidentit një të drejtë që ia lejon kushtetuta. Nga kjo provë rezulton se Ministria e ka nisur shkresën për botim pa marrë një letër nga Kuvendi. Këtu kemi të bëjmë me lajthitje? Jo, më keq. Falsifikim.
Struktura përkatëse e Presidentit po përgatit kallëzimin për t’ia drejtuar SPAK… Tani Prokuroria duhet të ketë fjalën dhe të thërrasë për të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë”.