Për kreun e shtetit, Ilir Meta, mbetet i rëndësishëm respektimi i marrëveshjes së 5 Qershorit i arritur mes palëve për reformën zgjedhore. Për këtë, Presidenti ka pasur një takim me ambasadorët e huaj, ku i ka falenderuar për rolin e tyre në këtë proces.
Megjithatë, Meta tha se aktualisht ka mbetur pak kohë për të reflektuar për kalimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas tij, përgjegjësia do të jetë e një personi duke nënkuptuar kryeministrin Rama nëse prishet marrëveshja e Qershorit.
“Unë mendoj se ka mbetur edhe pak kohë për të reflektuar, dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori. Nuk do të ketë dy fajtor nëse shkelet marrëveshja, do të ketë një fajtor që për fatin e tij personal kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e katër milionë shqiptarëve”, tha Meta.
Presidenti tha gjatë prononcimit për mediat se ndryshimet kushtetuese të miratuara nga mazhoranca janë antikushtetuese dhe të njëanshme.
“Goditi marrëveshjen e 5 Qershorit tregon që jemi në kurs të kundërt me atë që pritet nga njerëzit dhe të gjithë ndërkombëtarët e përfshirë në këtë proces”, tha Meta.