Presidenti Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se ka korruptuar edhe elementë të caktuar nga opozita.
Ndërsa veten e tij, kreu i shtetit e konsideron pengesën kryesore të kryeministrit Rama, sipas tij, në mbrojtje të demokracisë.
Duke folur nga parku i Apolonisë në Fier ku vlerësoi personalitete të artit, Presidenti Meta tha se zgjedhjet e 25 Prillit do të vlejnë për 100 vitet e ardhshme.
“Ai ka shqetësimin se Ilir Meta përpiqet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse po përdor pushtetin e paligjshëm për të blerë, shantazhuar dhe korruptuar opozitën dhe kuptohet që shpesh ka patur suksese në këtë rrugë, dhe pengesa, diga kryesore për të mos përmbytur përfundimisht demokracinë ka qenë Ilir Meta. Kjo është një betejë finale, nuk është si betejat e mëparshme, është betejë për 100 vitet që do vijnë. Kjo nuk është betejë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. I duhet ta dijë shumë mirë që kur sulmohet rendi kushtetues do të thotë sulmohet Republika e Shqipërisë dhe Presidenti merr përgjegjësitë. Kështu që mos të provokojë Vlorën.
Vlora ka një spital psikiatrik që është në gjendje të mirë dhe ka personel të devotshëm, kështu që të gjitha shërbimet do t’i ketë atje se ai është mësuar të korruptojë burra që turpërojnë edhe fjalën prostitutë, burra me vese që turpërojnë familjet e tyre, turpërojnë fëmijët e tyre, por duhet ta dijë që në 25 Prill do ta marrë përgjigjen nga vajzat e Vlorës, të Fierit, të Durrësit, Tiranës e gjithë Shqipërisë”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.