Presidenti Ilir Meta fajëson Qeverinë për shtyrjen e çeljes së negociatave me BE-në. I ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit, Lutfi Dervishi Meta tha se 30 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist vendi nuk ka mundur të kapërcejë tranzicionin e tejzgjatur, ndërsa e përjashton veten nga përgjegjësia e klasës politike.
“Po të kemi parasysh një bilanc 30 vjeçar i cili është zhgënjyes në shumë aspekte. Pas 30 vjetësh nuk jemi aty ku duhet të ishim. Ka qënë një proces ulje ngritjesh por ajo që na ka dëmtuar më shumë është braktisja e shumë prej politikanëve e atyre idealeve të dhjetorit. Nuk ka asnjë arsye për të qënë krenar sot. Në 30 vite kam shumë arsye për të qënë reflektues ndaj shumë gjërave që vet mund ti kisha bërë më mirë. Ajo që jam sot krenar për veten time si një ish student i dhjetorit jam për këto gjëra që në 30 vjet Shqipëria asnjë sekond nuk është dhunuar në procesin e integrimit europian për shkak të Ilir Metës. Në të gjitha pozicionet që Ilir Meta ka patur. Ilir Meta ka dhënë gjithmonë zgjidhje politike për të zhbllokuar proceset e integrimit europian. Gabojnë të gjithë ata që për pushtetin personal e kanë vonuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sot ne kemi një kryeministër që po bllokon integrimin e Shqipërisë në mënyrë të qëllimshme. Shkeli marrëveshjen e 5 qershorit në mënyrë të qëllimshme, që kërkon të vërë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale për ti shtyrë negociatat.” – theksoi Meta në Përballë.
Pavarësisht thirrjeve të ambasadorëve ndaj drejtuesve të institucioneve të vendit për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese brenda vitit, Presidenti Meta thotë se kjo nuk do të ndodhë.
“Ajo që, mund t’ju them me bindje të plotë është: Unë si President i Republikës, për shkak të përvojës sime në më shumë se tre vjet e pak President, mund t’ju them si Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale, një Prokurori funksionale, Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, sistem gjyqësor funksional, menjëherë pas 25 prillit. Sepse gjithçka në Shqipëri, është nën presionin e një force, dhe të një dore të vetme, dhe brenda sistemit të drejtësisë. Në këtë drejtim përsa u takon përpjekjeve të mia, ju e dini shumë mirë se nëse do të kishte pasur vullnet për bashkëpunim nga të gjithë aktorët e tjerë, nuk do të kishte ngelur Shqipëria, një minutë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, në më shumë se tre vite e fundit. Unë, do të bëjë detyrën time edhe ne të ardhmen, në mënyrë tepër transparente me qytetarë dhe me opinionin publik. Por, në kushtet e një presioni të tillë politik siç është edhe vetë KED-i, sepse gjithë instrumentat, për verifikimin e këtyre kandidatëve dhe çdo gjë është e kontrolluar nga qeveria, nga ekzekutivi kjo është një gjë shumë e qartë, siç ka qenë edhe në rastet e kaluara, Nuk pres drejtësi të pavarur, funksionale, të besueshme, përpara 25 prillit.” – theksoi Meta në Përballë.