Presidenti Ilir Meta e cilësoi si fitore të tij dhe të popullit në tubimin e 2 Marsit tërheqjen e shumicës socialiste nga heqja e kompetencave për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Ilir Meta u shpreh se shumica socialiste dje u tregua e pabesë, pasi pranoi në Kuvend vetëm dekretin duke u tërhequr nga heqja e kompetencave për betimin e gjykatës Kushtetuese, por nuk ndodhi e njëjta gjë me betimin e gjyqtarëve të lartë, prokurorëve dhe prokurorëve të SPAK, duke ia hequr.
“Dje Kuvendi miratoi dekretin për kthimin për shqyrtim të ligjit për betimin e gjyqtarëve, që unë e firmosa në datë 2 mars. Pranimi provon se shumica u detyrua që të pranojë fuqinë e popullit, që i përket sovranitetit. Përshëndes komisionin e Venecias. Nisma për ndryshuar formatin e betimit ishte nismë për uzurpimin e kompetencave të presidentit. Por dje Kuvendi çuditërisht mori edhe një akt tjetër në kundërshtim me këtë filozofi. Pra Kuvendi u soll krejt ndryshe me ligjin tjetër statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke prekur në mënyrë të njëanshme dhe të pabesë ligjet e reformës në drejtësi dhe veproi krejt ndryshe, duke i hequr presidentit kompetencën për të pranuar betimin e gjyqtarit të gjykatës së lartë, prokurorëve dhe prokurorëve të SPAK.
Tani krijohet rreziku i shkeljes së integritetit të gjykatës së Lartë, që është kompetente për zgjedhjen e tre anëtarëve të Kushtetueses. Me këtë ligj, Kuvendi ndau prokurorët e SPAK-ut në dy pjesë, ata që janë betuar te presidenti dhe kanë filluar punën dhe ata që do të vijnë që nuk betohen. Duke hequr këtë detyrim parlamenti zhbëri mekanizimin e fundit. Nuk është thjeshtë akt formal dhe ceremonial. Ndryshimet që miratoi dje Kuvendi cënojne pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Dekretet u mbajtën të fshehura për t’i përfshirë në një moment kur vëmendja ishte përqendruar te çështje të tjera si e Kodit“, tha ai.
“Ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës të papranueshme, mos dilni nga realiteti”
Presidenti Meta ka paralajmëruar sërish mazhorancën se prekja e njëanshme e kushtetutës nuk do të tolerohet dhe se kjo është një përpjeke për të asgjësuar demokracinë e vendit. Sipas Metës se është përgjegjësi e tij që kush del nga realiteti ai ta kthejë sërish brenda.
“Jam i qartë dhe më duket se kam sqaruar se çdo prekjeje e njëanshme e Kushtetutës, nga një parlament jo kushtetues është e papranueshëm, është përpjekje për të asgjësuar shtetin e së drejtës, demokracisë dhe të ardhmen europiane. Dhe do marr përgjegjësinë e duhur nëse dikush ka kaluar jashtë realitet, dhe do të vijë brenda realitetit shumë shpejt. Kur parlamenti vepron në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Venecias, është legjitim. Kur vepron ndryshe, nuk është legjitim. Këtë ua ka thënë dhe Venecia se Shqipëria është në një situatë ku kemi në Kuvend një parti. Rregullat e garës nuk vihen nga një maxhorancë për interes të maxhorancës. Pasi kjo bëhet në diktaturë”, tha Meta.
Meta-Ramës: Nëse do që të vij në Këshillin Politik më fto zyrtarisht
Presidenti Ilir Meta tha se është gati që të shkojë dhe të japë mendimin e tij në Këshillin Politik, por me ftesë zyrtare, jo me një Twitter në rrjetet sociale, referuar Edi Ramës. “Nuk është çështje e presidentit të merret me çështjet e këshillit politik. Nuk ftohet presidenti në këshillin politik me gjëra të tilla kaq të shëmtuara si ky Twitteri këtu (tregon ftesën e Edi Ramës në rrjetet sociale), presidenti nëse dikush ka dëshirë të dijë mendimin apo kërkon mendimin të fton zyrtarisht për të gjetur një dakordësi. Nëse të gjithë anëtarët e këshillit kanë dëshirë padyshim që presidenti është i gatshëm të shkojë dhe të japë mendimin e tij me interesin më të mirë të këtij procesi. Por këto lloj ftesa LB, IM dhe OP, edhe Haxhi Qamilit do i vinte turp”, tha ai. Por çfarë do të ndodhë nëse Edi Rama miraton ndryshimet për hapjen e listave dhe koalicionet pa konsensusin e opozitës jashtë parlamentit. “Unë nuk e kuptoj këtë 6 ditë?! Kush e ka vendosur këtë afat? BE, NATO, Bundestagu? Ekziston vetëm një datë e rëndësishme, 5 Qershori, pasi është një marrëveshje ku u investuan të gjitha forcat politike. 5 Qershori mund të rishikohet vetëm në mënyrë konsensuale.”.