Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit në Asamblenë Socialiste.
Në një postim në mediat sociale, Meta i bën thirrje Ramës që t’i thërrasë mendjes dhe shton se ai do më shumë Margarita Tutulanin se Monika Kryemadhin.
Kreu i shtetit shkruan se Monika nuk e dëgjoi dhe braktisi parlamentin, ndërsa Margarita në moshën 16-vjeçare shkruante hartim për atdheun.
“O shoku thirri mendjes! Unë e dua më shumë Margaritën se Monikën! E di pse? Se Monika braktisi Parlamentin kundër dëshirës dhe vullnetit tim, ndërsa Margarita në moshën 16-vjeçare shkruante në hartim: “Më pyet shpesh vëllai më i vogël: Motër përse na duhet Atdheu? Dhe unë i përgjigjem: Atdheu na duhet që të jemi të lirë!“, shkruan Meta.
Në fund ai i drejtohet Ramës duke e quajtur “spiropalist ordiner” dhe thotë se nuk ka atdhe pa dëshmorë dhe heronj.
“Nuk ka Atdhe në botë pa Dëshmorë dhe Heronj o Spiropalist ordiner! LAVDI DËSHMORËVE DHE HERONJVE TË ATDHEUT!“, mbyll postimin Presidenti.