Kryesore Meta reagon nga qelia: Më rrëmbyen në mënyrë banditeske, nga sot një...

Meta reagon nga qelia: Më rrëmbyen në mënyrë banditeske, nga sot një faqe e re në luftën me narko-shtetin

Ilir Meta ka bërë reagimin e parë nga qelia. Duke falënderuar anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen, ai thotë se është i bindur në fitore.

Meta thotë se nga sot nis një epokë e re në luftën ndaj asaj që e quan “narkoshtet”.

“Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat. Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë”, thekson Meta në reagim.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

“Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!

Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë!

Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.

Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”.