Nga Dritan Hila
Ilir Meta nuk njihet si njeri hedonistik, nëse kjo nuk i shërben në politikë. Dhe as si shijues i rilindjes urbane të Ramës.
Mirëpo së fundmi i ka shpeshtuar vizitat e tij në Vlorë, aq sa në asnjë qytet tjetër. Pse presidenti është kaq shumë i fokusuar në një qytet i cili është bastion i së majtës dhe ku Edi Rama ndjehet i sigurt? Çfarë e detyron të takojë rivalin e LSI në Vlorë, Bujar Leskajn? Natyrisht që nuk është pasioni për rakinë, i zbuluar së voni nga të dy, por Rama. Dhe ja pse!
Nuk është fakt që mund të fshihet tashmë që PD dhe LSI nuk kanë skrupuj për të grumbulluar vota secila për hesap të vet ndaj njëra-tjetrës, po aq sa ndaj PS. Dhe kjo po i dëmton. Por më shumë do t’i dëmtojë në Vlorë.
Përveç kësaj, koalicioni opozitar humbet bishtat që nuk i lejojnë të nxjerrë një deputet. Në këto kushte ka mundësi që PD të marrë katër deputetë duke e lënë pa gjë aleatin e vet.
Mirëpo nëse çdo votë opozitare kontrollohet dhe pilotohet, ka mundësi që t’i marrin PS mandatin e tetë. Dhe këtu është i pozicionuar pikërisht Edi Rama.
Ndaj opozitës i duhet koordinimi që të mund të realizojë këtë qëllim.
Por nuk bëhet fjalë vetëm për një deputet. Ajo që e bën të çmuar humbjen e vendit të tetë në Vlorë, pavarësisht se Rama mund të renditet i pari me vota, lidhet me dëmin moral. Nëse renditet Rama i pari apo i teti, nëse opozita merr vendin e tetë, konsiderohet që ka mundur vetë Ramën. Dhe të ndodhë kjo në qytetin ku kryeministri ka investuar më shumë, do jetë një goditje e madhe morale. Pas kësaj vjen efekti domino. Edhe nëse Rama fiton në shkallë vendi, humbja në Vlorë do konsiderohet në sytë e publikut si ajo e Ramiz Alisë në zgjedhjet e vitit ‘91, ku pavarësisht se PPSH fitoi në rang vendi, humbja e udhëheqësit të saj Ramiz Alia pikërisht në zonën ku ishte themeluar partia që përfaqësonte, ishte përtej një humbjeje të thjeshtë. Pas kësaj erdhën zgjedhjet e parakohshme.
E tillë do konsiderohet edhe humbja e Ramës.
Nëse opozita i rrëmben vendin e tetë Ramës, edhe nëse humbasin në shkallë vendi, e kanë të hapur një pretekst për luftën me legjislaturën e ardhshme dhe pse jo, edhe zgjedhje të parakohshme. Si do të justifikohej Rama pas kësaj, kur edhe qyteti që ka marrë gjithë vëmendjen e tij, e refuzon? Ngjan me shprehjen e qëmotshme se “fshati e përzë, por ai kërkon vajzën e priftit për nuse”.
Ndaj edhe Meta është fokusuar në Vlorë./dritare.net