Pas takimit me delegacionin e Venecias që erdhi në Tiranë për të mbledhur të dhëna mbi shkarkimin e tij, Ilir Meta është i bindur se do të qëndrojë në zyrë deri në ditën e fundit të mandatit.
Jo pak i habitur është Ilir Meta nga deklarimet optimiste jo vetëm të Ramës, por edhe të Bashës për hapjen e negociatave.
Ai doli kundër deklaratave të “njehsuara” së fundmi të mazhorancës dhe liderit demokrat Lulzim Basha se më 18 tetor duhet të kemi një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ai tha se festën duhet ta bëjmë kur të kemi para faktet duke i krahasuar këto deklarata me ato që të dyja palët pretendonin se kishin fituar zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse merret një datë për çeljen e negociatave, Meta tha se do të dekorojë kryeministrin Rama, ndërsa nuk do t’i japë një të tillë Bashës, me argumentin se braktisi institucionet, dhe as Monika Kryemadhit, bashkëshortes së tij, me frazën se “i dha besën Lulit”, siç Meta u shpreh.
Kreu i shtetit nuk i kursen ironitë, kur thotë se në 30 qershor fituan të gjithë.
Sfida presidenciale ngel e hapur, deri në 18 tetor kur Këshilli Evropian do të japë verdiktin e tij për çeljen e negociatave me Shqipërinë.