Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i bëri thirrje Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara prej saj dhe të heqë dorë nga mbështetja e grupeve kriminale në veri të Kosovës.
Në një deklaratë për mediat nga selia e partisë, Meta theksoi se sjellja e Beogradit është destabilizuese, përsëritëse dhe me synime të qarta.
Ai shtoi më tej se nisma e Ballkanit të Hapur është në kundërshtim të interesave kombëtare dhe se rruga e vetme e integrimit të rajonit në BE duhet të bëhet përmes Procesi i Berlinit.
“Ngjarjet e djeshme treguan se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjet e dakordësuara në Bruksel duke u fshehur pas grupeve kriminale në veri të Kosovës. Nxitja e tensioneve në veri të Kosovë është në dëm jo vetëm të rajonit por edhe të BE-së. Prishtina tregoi pjekuri e mençuri që zbatoi këshillën e aleatëve duke shtyrë me 30 ditë reciprocitetin. BE duhet të detyrojë Beogradin të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën. Beogradi duhet të heqë dorë nga mbështetja e grupeve kriminale në veri. Kosova e Serbia duhet të bashkëpunojnë më ngushtë. Qeveria e kryeministri i Shqipërisë duhet të pozicionohen qartë në mbështetje të Kosovës dhe të drejtës së saj. Serbia mbylli kufijtë siç mbylli Rama gojën për 24 orë. Procesi i Berlinit është e vetmja rrugë për integrimin e rajonit në BE.” – tha Meta.