Presidenti Ilir Meta, me anë të një postimi në Facebook, paralajmëroi ata që i quajti kriminelët e veshur me uniformë, që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
“Kriminelët janë kudo të rrezikshëm. Por më të rrezikshmit janë kriminelët e veshur me uniformë, janë ata që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë. Prandaj thirrini mendjes, zbatoni ligjin, qëndroni larg ndikimeve politike, mos u bëni palë dhe ruani integritetin e detyrës. Përmbushni detyrën pa asnjë vonesë dhe mos e detyroni Popullin t’ju arrestojë në flagrancë përmes ligjit, që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar. Presidenti i Republikës është gjithmonë me Kushtetutën dhe Sovranin. Presidenti i Republikës është gjithmonë gati për të marrë përgjegjësinë për çdo Dekret në mbrojtje të Zgjedhjeve, Demokracisë dhe Popullit nga dhuna e oligarkisë! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë”, shkroi Meta.
Më herët, në një konferencë për shtyp, Meta tha: “Duket qartë se SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit kanë bërë çmos që personat e kallëzuar nga PD për krime zgjedhore, të mos hetoheshin para zgjedhjeve, duke iu krijuar terrenin për të vjedhur zgjedhjet. Për shkak të këtyre veprimeve kriminale ndodhi edhe konflikti i armatosur. Nëse Prokuroria do të kishte vepruar, këta 40 persona do të ishin në burg, por nuk do të kishim asnjë viktimë apo të plagosur”.