Politika Meta takon ambasadorin e Ukrainës: Shqipëria në krah të Kievit

Meta takon ambasadorin e Ukrainës: Shqipëria në krah të Kievit

Presidenti Ilir Meta ka takuar sot në Tiranë ambasadorin e Ukrainës Volodymyr Shkurov, ku u diskutua situata e tensionuar në kufirin ukrainas-rus dhe perspektivat e një konflikti të hapur me Rusinë.

“Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. U informova nga Ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese”, ishin fjalët e presidentit shqiptar të shpërndara në një postim në Facebook.

Meta siguroi ambasadorin se “Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”.

Disa ditë më parë, Kremlini iu dërgoi kancelarive perëndimore, ndër të cilave edhe Tiranës, një letër ku ndër të tjerat i kërkonte atyre të mbanin një qëndrim mbi statusin e NATO-s, që sipas rusëve po tejkalon karakteristikat e saj mbrojtëse në konfliktin me Ukrainën, si dhe në operacionet e fundit ushtarake në Europën Lindore, që Kremlini sheh si një kërcënim të drejtpërdrejtë.