Presidenti Ilir Meta ka takuar ditën e sotme ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, të cilit i ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën me Rusinë.
Meta tha se Shqipëria është në krah të Ukrainës dhe bëri thirrje që lufta të ndalet menjëherë dhe problemet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë.
“Takova ambasadorin ukrainas për t’i shprehur solidaritetin më të thellë për popullin e Ukrainës, për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre si një popull evropian që ka dhënë aq shumë për lirinë e Europës në të kaluarën por edhe që sot po jep një shembull frymëzues për të mbrojtur jo vetëm shtetin e tyre, për të mbrojtur jo vetëm, dinjitetin e tyre kombëtar dhe njerëzor por edhe vlerat më të mira evropiane ndaj jemi në krah të Ukrainës dhe të Presidentit Zelenski, jemi për të shprehur dhe njëherë tjetër ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e pafajshme, gjithë të lënduarit nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar.
Natyrisht kemi bërë dhe do bëjmë të gjitha përpjekjet së bashku me vendet demokratike për të nxitur jo vetëm armëpushimin dhe rikthimin e mjeteve paqësore të dialogut dhe bisedimeve të ndalimit të kësaj lufte. Në përpjekjet tona dhe si vend anëtar i NATO dhe si vend që synon të anëtarësohet në BE kanë qenë edhe mbeten të qarta në një linjë të plotë me NATO-n dhe BE.
Dua të falenderoj të gjitha institucionet tona, falenderoj Kryqin e Kuq, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarët që kanë shprehur solidaritetin. Ne do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit ukrainas, do të marrim përgjegjësitë tona dhe do ndajmë peshën e solidaritetit”, tha Presidenti Ilir Meta.