Kreu i Shtetit Ilir Meta ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një tjetër takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidenti Meta, ndërsa thekson se bisedoi me kreun e opozitës lidhur me idenë e rikthimit të debatit për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik.
“Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë”, shkruan Meta në reagimin e tij.
Një ditë më parë Partia Demokratike duke dënuar ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës dhe prishjen e marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoi që të gjitha propozimet që prekin Kodin Zgjedhor të shqyrtohen në Këshillin Politik.