Ekonomi Meta: Të punohet për përballimin çdo skenari me pasoja në ekonomi

Meta: Të punohet për përballimin çdo skenari me pasoja në ekonomi

Presidenti Ilir Meta në një videomesazh drejtuar qytetarëve thotë se vendi po përballet me një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit.

Sipas tij, kjo situatë do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël. Prioritet kryesor sipas Metës është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve si aktori kryesor në përballjen me pandeminë.

Por pasojat do të jenë të pashmangshme edhe në ekonomi shtoi kreu i shtetit, i cili bëri thirrje që të punohet në përballimin e pasojave serioze në ekonominë kombëtare.

“Pasojat në ekonomi do të jenë objektivisht të pashmangshme, siç paralajmëron FMN dhe aktorët kryesorë të ekonomisë tonë. Duhet të bëhet gjithçka për të përballuar skenarët e ndryshëm të ecurisë së kësaj pandemie nga ana mjekësore.

Por është jetike të punohet çdo ditë edhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të pasojave serioze në ekonominë kombëtare dhe jetën e çdo familjeje shqiptare, në veçanti të atyre më në nevojë”, tha Meta.