Kreu i shtetit firmosi sot në mënyrë demonstrative para mediave, dekretin që shfuqizon 30 Qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Në një deklaratë për shtyp, qe zgjati rreth 40 minuta, Presidenti Meta shpjegoi argumentet ligjore që e çuan në ketë vendimmarrje.
Sipas tij, palët kanë qëndrime ekstreme, që mund të ojne vendin drejt një konflikti social. Zgjedhjet pa garë dhe pa alternative në 30 Qershor, Presidenti i quajti fiktive dhe farse.
I. Së pari, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Çdo demokraci ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj dhe zgjedhjet janë pikërisht mekanizmi që e mundësojnë atë.
II. Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të ssë drejtës.
III. Së treti, zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues.
IV. Së katërti, është e vërtetë që aspekt i rëndësishëm i zgjedhjeve është periodiciteti i zhvillimit të tyre. Kjo është e lidhur me mandatin e kufizuar që kanë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore. Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve lokale, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore. Për pasojë, shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese.
V. Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.
VI. Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.
VII. Së shtati, si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.
VIII. Së fundmi, zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.