Ish-presidenti Ilir Meta 3 muaj pas arrestimit, ditën e sotme është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për t’u pyetur nga prokurorët.
Në përfundim të seancës në një dalje për mediat avokati i Metës, Genc Gjokutaj është shprehur se kreu i PL është pyetur vetëm sa i përket çështjes së lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjokutaj tha se Ilir Meta ka dhënë sqarime dhe ka qenë bashkëpunues për aq sa ai kishte dijeni.
Genc Gjokutaj: Në fakt pyetja filloi me një kërkesë të zotit Meta i cili donte të dinte se ç’bëhej me kallëzimin që kemi bërë më lidhje me rrëmbimin me 21 Tetor, por prokurorët thanë që kjo çështje nuk iu është caktuar atyre, por prokurorëve të tjerë.
Sot është pyetur vetëm sa i përket lobimit në Amerikë. Zoti Meta ka qenë bashkëpunues dhe tepër sqarues në lidhje me çështjen me aq sa kishte dijeni dhe mbante mend. Për detaje të tjera do të japi shpjegime më të detajuara. Sot procesverbali u firmos dhe seanca u realizua.
Jo, pra prokurori Sotir Kllapi dhe seanca e sotme i ishte dedikuar e u drejtuan pyetjet për lobimin dhe vetëm për këtë, pra çështjen e lobimit. Ta thashë edhe njëherë që ne nuk na janë dhënë aktet atëherë ne do të flasim edhe ne detaje sepse çështja e shumës është një teknikalitet që kërkon jo vetëm dijeninë, por edhe vëmendje të shtuar.
Ndër të tjera avokati Gjokutaj u shpreh se Ilir Meta ka qenë bashkëpunues dhe sqarues për çështjen, teksa kishte kërkuar edhe një fjalë për mediat ditën e sotme, por për shkak të masës ndaj tij nuk është lejuar.
Genc Gjokutaj: Zoti Meta i tha ‘a është e mundur që në kushte të shoqërimit të komunikoj me media’ ata i thanë që është e pamundur dhe prandaj jam unë këtu. Zoti Meta nuk diskutohet për të dhënë shpjegime dhe për të qenë bashkëpunues në lidhje me organin e hetimit. Është pyetur katër herë dhe ka dhënë shpjegime të detajuara. Zoti Meta përballë këtij procesi ka zgjedhur përballjen me aktet dhe me faktet që prokurorët kanë në dispozicioni. Rekursi do të paraqitet brenda afatit ligjor.